This post is also available in: Macedonian French Spanish German Russian English Serbian Slovenian Croatian Bosnian Bulgarian Italian
Aco Shopov: biografi e shkurtër
I lindur në Shtip, më 20 dhjetor të vitit 1923, poeti maqedonas Aco Shopov fëmijërinë e ka kaluar në qytetin e lindjes, me vëllezërit: Dimitrin (1920-1972) dhe Borislavin (1927-1996), të atin Gjorgji Zafirov-Shopovin (1893-1944) dhe të ëmën Kostadinka Rusevën (1897-1942), fal së cilës i është përkushtuar dashurisë ndaj poezisë dhe dhuntisë krijuese.
„Кuçedër”, siç do ta cilësojë në fund të jetës së tij, ajo fëmijëri e llahtarshme vuloset me sëmundjen e nënës së tij, e cila paralizohet në vitin 1934. Në moshën njëmbëdhjetë vjeçare, ai kujdeset vetë për të dhe për vëllaun e vogël, pasi që vëllau i madh dërgohet në seminarin e Prizrenit, kurse i ati pothuajse nuk është i pranishëm. Ja përse, hija e sëmundjes së pashërueshme dhe vdekjes, tmerri, trishtimi dhe vetmia do të theksohen që në poezitë e para të shkruara në moshën katërmbëdhjetë vjeçare e deri në poezitë e fundit.
Qysh si gjimnazist, në vitin 1940, Aco Shopovi hy në SKOJ, ndërsa dy vite më vonë, kyçet në luftën anti-fashiste, në radhët e Brigadës së Tretë Sulmuese Maqedonase. Anëtare e së njejtës qe edhe e dashura e tij, Vera Jociq, e cila vdes më 22 maj 1944 dhe së cilës Shopovi ia kushton poezinë e njohur “Sytë”.
Pas luftës, Aco Shopovi kryen maturën në qytetin e lindjes dhe niset për në Shkup, ku do t’i përfundojnë studimet në Fakultetin Filozofik, drejtimi filozofi e pastër. Përveçse si redaktor në revistat letrare dhe gazetat Nov den, Mlad borec, Idnina, Horizont, Sovremenost, Shopovi do të punojë si redaktor kryesor edhe në të përjavshmen satirike Osten, me çka do ta nxisë të botojë një varg poezish satirike, të grupuara më vonë në përmbledhjen Jus-universum (1968), ku nuk i kursen as politikanët “politikisht jus-korrektë”, e aq më pak shkrimtarët, kritikët, ose gazetarët e atillë. Këto të fundit, ishin po të njejtët me të cilët qe përballur pesëmbëdhjetë vjet më parë, pas botimit të Vargjeve për vuajtjen dhe gëzimin (1952), përmbledhje që nxiti një polemikë të ashpër në rrethet letrare maqedonase. Pikërisht kjo përmbledhje, ashtu si edhe përmbledhja e radhës, Shkrihu me heshtjen (1955) shënojnë një kthesë historike në poezinë maqedonase që do të pranohet dhe përshëndetet njëzëri vetëm disa vite më vonë.
Edhe përkundër sulmeve të kritikës letrare, Aco Shopovi u qëndron besnik ideve të tij dhe ndërton një univers poetik autentik të paprekshëm nga urdhërat e soc-realizmit, mirëpo njëkohësisht pa kaluar as në disidencë. „Unë jam një nga ata poetë që i qëndrojnë besnik vetvetes që nga hapat e parë krijues e deri në fazën e pjekur të krijimtarisë” deklaron Shopovi në bisedën me Miodrag Pavloviqin (1969). “Asnjëfarë lloj erërash letrare nuk ia dolën t’më veshin petkun e dikujt tjetër, petk i cili do të binte ndesh me natyrën time poetike. Ato erëra më korrigjuan, përmisuan dhe më sollën deri në një nivel më të plotë të shprehjes poetike, por nuk më larguan nga rruga në të cilën po ec. Poetin e nxjerr në pah poezia e tij dhe jo nënshkrimi që vendos nën të.”
Duke filluar nga përmbledhja e tij e parë, Vjersha, – e cila është njëkohësisht edhe libri i parë i botuar në gjuhën maqedonase në Maqedoninë e lirë, në vitin 1944 – e deri tek e fundit, Druri mbi kodër, që do të dalë në shtyp dy vite pas vdekjes së tij, Aco Shopov i vendos themelet e një poezie vendimtare bashkëkohore – veçanërisht me Mosqenësinë (1963) dhe Lexuesi i hirit (1970) – e cila fokusohet në vendin e lindjes me të vetmin qëllim për ta futur në kadastrën e botës. Bëhet fjalë për një poezi që ia del t’i bashkojë, në një përvojë të vetme intime, përjetimet personale të autorit dhe fatin e njerëzimit.
I zgjedhur, më 18 gusht 1968, midis anëtarëve të parë të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve (MANU), kurse një vit më vonë edhe si anëtar korrespondent i Akademisë Serbe, Aco Shopovi është fitues i çmimit më të lartë jugosllav AVNOJ (1970), si dhe çmimeve letrare: “Koço Racin”, për përmbledhjet Shkrihu me heshtjen (1955) dhe Lexuesi i hirit (1970); “11 tetori”, për përkthimin e Hamletit (1960) dhe për veprimtarinë jetësore (1981); “Lojëra fëmijësh me dragonj”, për përkthimin e poezive të Jovan Jovanoviq-Zmajit (1967); “Vllezërit Milladinovci”, për përmbledhjen Kënga e gruas së zezë (1976)
Kënga e gruas së zezë frymëzuar nga qëndrimi i tij në Senegal, ku është emëruar si ambasador i Jugosllavisë, në vitin 1971, pas viteve të gjata kushtuar veprimtarisë së botimit, kryesisht si redaktor kryesor i shtëpisë botuese “Makedonska kniga”. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Afrikë, ai do të përkthejë edhe poezi të zgjedhura të presidentit senegalist, Leopold Sedar Sengor, anëtar i Akademisë Franceze dhe fitues i “Kurorës së Artë” të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, në vitin 1975.
Të njejtin vit Aco Shopovi emërohet kryetar i Komisionit Republikan për Lidhje Kulturore jashtë vendit, në Shkup. Por, tre vjet më vonë, sëmundja, e parandjerë kahershëm në poezitë e tij, do ta detyrojë ta lërë pas dore jetën aktive.
Baba i Vladimirit, i cili lindi në vitin 1949, në martesë me Bllagorodnën, kurse ndërroi jetë në janar të vitit 2000, dhe i Јasminës, e lindur në vitin 1960, në martesë me Svetllanën, Aco Shopovi arriti të jetojë aq gjatë sa të gëzojë t’i shohë nipërit Аleksandrin dhe Leonardon. Por, nuk i arriti dot Мillën dhe Аleksandrin e dytë. Pas sëmundjes disa vjeçare, ai vdiq në Shkup, më 20 prill të vitit 1982.
Fotografitë (me përjashtim të karikaturës, e cila i përket Shoqatës së shkrimtarëve të Maqedonisë) mund të merren dhe të publikohen me copyright të detyrueshëm: © Aco Shopov – Poesis