This post is also available in: Macedonian French Spanish German Russian English
Ацо Шопов: Druri mbi kodër, Скопје, Мисла, 1980
Druri mbi kodër është përmbledhja e fundit origjinale me poezi e Aco Shopovit, e botuar dy vjet para vdekjes së tij. Te parathënia, Eftim Kletnikovi vëren se ajo hyn në rrethin e ri lirik të Shopovit, rreth i hapur me librin Kënga e gruas së zezë (1976). “Në të dy këta libra është i pranishëm një lloj lirizmi autobiografik, i cili, megjithatë, intimizmit i jep një projeksion të përsosur universal. Në Këngën e gruas së zezë ky projeksion vjen në shprehje më gjerësisht përmes gërshetimit dhe paralelizmit simbolik të hapësirave gjeografike: Zhoalit dhe Shtipit, Senegalit dhe Maqedonisë. Në Drurin mbi kodër është arritur po e njejta pas një projeksioni vertikal përmes temës së trupit, edhe pse këtu nuk janë të pranishme toposet simbolike të Zhoalit, Shtipit, Afrikës dhe Maqedonisë. Tema e intimizmit, gruas dhe vendlindjes që ka rrënjë autobiografike zhvillohet njëkohësisht edhe këtu, para se gjithash përmes temës së trupit.”
“E kam rilexuar shumë herë librin e tij të fundit Druri mbi kodër, të botuar dy vjet para vdekjes së tij, ndërkohë që librat e fundit të poetit janë kryesisht testamente, [dhe] mbeta thjesht i befasuar nga përmendja aq e shpeshtë e Maqedonisë, pothuajse në secilën strofë”, shkruan Georgi Stardelovi në “Gjurmë të përhershme dhe të pakapërcyeshme” (1992). “Në gjithsej 14 poezi që përmban ky libër i fundit i tij, Maqedonia përmendet rreth 20 herë, gjë që, në fakt, nuk ka ngjarë në asnjë libër të mëhershëm të tij. E kam vrarë gjatë mendjen rreth këtij fakti. Siç dihet në Drurin mbi kodër në një shtimung baladesk të tipit të Dojçinit të sëmurë*, vdekja mbin nga çdo anë. Dhe duke ndjerë se si vdekja troket në dyert e tij, Aco Shopovi në botimet e tij të fundit poetike rreket të bëjë një identifikim pothuajse të plotë të poezisë së tij me vendlindjen e tij.”
Druri mbi kodër është libër i Shopovit që shumë hapur, me një intenzitet të veçantë të përjetimit poetik shtron çështjen e domethënies së pakuptueshme të largimit të vazhdueshëm njerëzor, të vetmisë së tij dhe përpjekjes për ta përballuar, (simbolika me e gjerë e drurit mbi kodër), të zhdukjes”, shkruan Danilo Kocevski. “Por, njëkohësisht edhe besimi në “zjarrin e brendshëm” të pashuar njerëzor, zjarr, i cili siç thotë poeti ‘më ngroh më shumë se sa fjala e poetëve’, si bukuri e papërsëritshme e jetës dhe lartësim shpirëtror”.
“Dhe kur i vjen fundi ciklit biologjik, kur zogu në fjalë struket në çerdhen e tij të fundit, poeti nomad nuk e ndërpret fluturimin. Përballë trupit të dobësuar, të drobitur, imagjinata nuk zbutet, madje harliset edhe më shumë”, përfundon Aleksandër Prokopievi, në shkrimin “Nomadi Aco Shopov”.
Më shumë të dhëna rreth librit, në maqedonisht.
________________________
*Ekuivalent i baladës “Gjergj Elez Alia” në letërsinë gojore shqiptare.