This post is also available in: Macedonian French Spanish German Russian English
Aco Shopov: Vargje për vuajtjen dhe gëzimin (Стихови за маката и радоста), 1952
“Në momentin kur u shfaq kjo përmbledhje (nga Aco Shopovi) me kthesë të plotë drejt botës intime të poetit, përfaqësonte, në mënyrën e vete, një derë e cila hapte “horizont të ri”. Kjo kthesë prej treqind e gjashtëdhjetë shkallësh është bërë duke e pasur parasysh edhe rrezikun”, shkruan Eftim Kletnikovi në parathënien në përmbledhjen me poezi të zgjedhura të Shopovit me titull “Vrajë”, në vitin 1981.
Po, për çfarë rreziku bëhet fjalë? Kundër të ashtuquajturit “intimizëm të Shopovit” ngrihet një poterë e vërtetë në rrethin letrar maqedonas, i cili ndahet në dy taborre – në “realistë” dhe në “modernistë” (emërtime tërësisht të pajustifikueshme kur dihet krijimtaria e anëtarëve) – si dhe në dy revista Sovremenost dhe Razgledi.
Polemikat do të vazhdojnë disa vite me radhë dhe kritikat do të rindizen me përmbledhjen e radhës me poezi të Shopovit, të botuar në vitin 1955, Shkrihu me heshtjen.
Vasilije Popoviq-Cicoja, si dëshmitar i “luftës së taboreve” e paraqet këtë të fundit me shumë humor përmes karikaturës e cila ndodhet në Shoqatën e shkrimtarëve të Maqedonisë. Jo rastësisht Aco Shopovi (në të majtë) qëndron përballë Vlado Maleskit, i cili në vitin 1953 e pat sulmuar përmbledhjen Vargje për vuajtjen dhe gëzimin në shkrimin me titull evokativ: “Shllagerë dhe muzikë”, të botuar në revistën Razgledi, në vitin 1953.
Shopovi i përgjigjet menjëherë në revistën Sovremenost: “Nuk kam ndërmend të ngrihem në mbrojtje të askujt, sepse gjithsecili herët ose vonë ka për tu mbrojtur me veprat e veta. Ndoshta edhe ka shkrimtarë dhe artistë konjukturistë, por për sa i përket “keqpërdorimit të ngjarjes më madhore në historinë e popujve tanë”, saktësisht, Revolucionit, më duhet patjetër t’ju shpreh gjithë zemërim se askush deri më sot nuk ka shpifur publikisht për mua (dhe me siguri jo vetëm për mua) siç ka bërë V. Maleski në artikullin “Shllagerë dhe muzikë”.
Për mua, sinqeriteti është një prej parimeve kryesore të krijimtarisë së vërtetë artistike: unë asnjëherë s’e kam tradhtuar, e as që do e tradhëtoj ndonjëherë këtë parim, sepse në atë mënyrë do e tradhëtoja artin, poezinë time si dhe veten time. Do të ishte më e dobishme që “kritikët” t’i studionin motivet që i mahnisin artistët e jo të nxitonin të nxjerrin përfundime sipërfaqësore dhe ofenduese për “keqpërdorimin”, thënë saktësisht për spekullimin e disa artistëve, përfshirë edhe mua. (…) Kështu kritika shndërrohet në shpifje, lufta e mendimeve – në potere të zbrazët.”
Më shumë të dhëna rreth librit, në maqedonisht.