This post is also available in: Macedonian French Spanish German Russian English

Aco Shopov: Shkrihu me heshtjen  (Слеј се со тишината), 1955

Ацо Шопов: Слеј се со тишината, 1955

Aco Shopov: Shkrihu me heshtjen, 1955. Klikoni për të shkuar të përmbajtja.

Edhe pse ky libër përmban një numër të madh poezish që edhe sot konsiderohen si ndër më të arrirat, edhe pse pikërisht për këtë libër Aco Shopovi fiton çmimin “Koço Racin”, edhe pse ky libër është vëllimi i parë poetik i një poeti maqedonas që përkthehet në gjuhën sllovake  (Zlij se s tisino) dhe kritiku letrar sllovak Fran Petre për të thotë se e shënon lindjen e lirikës së vërtetë në Maqedoni… përsëri botimi i saj në nëntor të vitit 1955 do ta përflakë edhe më shumë polemikën mes “modernistëve” dhe “realistëve” (dy “taboret” e ndara mes revistave Razgledi dhe Sovremenost), polemikë e filluar para tre vjetësh, me Vargje për vuajtjen dhe gëzimin.

Kështu, teksa Eftim Manevi boton një kritikë pozitive, ku shprehet për një “poezi pa korniza dhe pa pikësynim për portretizim tingëllues dhe portretizim sallonesh”, për “brendi spontane që papritmas shndërrohet në vizion mahnitës formash solide përmbajtësore”, Milan Gjurçinovi flet për “idenë dhe konceptin e pashpjegueshëm, labil dhe të pasigurt” duke e marrë si shembull poezinë “Ah ajo bukuri”. Georgi Stardelovi do të shkruaj më vonë për të njejtën poezi se pikërisht aty “del më së shumti në pah kuptimi oksimoronik i bukurisë dhe poezisë si diçka e kobshme, si hamendësim, si lajthitje”. Duke analizuar ca poezi (“Në heshtje”, “Kur e ke më të vështirë”, “E kërkoj zërin tim”) të ciklit “Miniatura”, Dimitar Solevi, do të shprehet se ky cikël është “më i papërpunuari”, për arsye se “përpjekja poetike për botëkuptim intelektual, madje cerebral, në rastin konkret shndërrohet në thjeshtëzim, dobësim, sofizëm”, ndërsa Dimitar Mitrevi, për poezinë “Në heshtje” do të shkruaj se është “një medalion i mrekullueshëm lirik, më i shkurtëri por njëkohësisht edhe momenti mbarënjerëzor lirik më i bukur në lirikën tonë”.

Shumë më vonë, në fillim të shekullit XXI, Sonja Stojmenska-Elzeseri do të shkruajë se “Miniaturat” “jo vetëm që janë thelbësore dhe të shkurtëra, por përjetohen edhe si vizatime të vërteta, si skica të vogla ku ekspresioni vizual i thellon shtresat refleksive dhe senzuale”. Ato janë, sipas saj, “skica poetike, fragmente momentale peizazhi që mbartin përmbajtje të thellë refleksive”. Aleksandër Prokopievi përsëri vë re se “në përmbledhjen poetike Shkrihu me heshtjen (1955), e cila e shyrtuar sipas etapave të krijimtarisë poetike të Shopovit bën pjesë në të ashtuquajturën fazë intime, dallohen ca miniatura mahnitëse dhe sublime, të cilat përmbajnë koncizitet pikturesk të rrallë edhe tek mjeshtrat e formave të shkurtëra, siç është, për shembull, haiku japonez. Përveç të famshmes “Në heshtje”, mes këtyre poezive të thjeshta sipas thurjes por të shklëqyera sipas efektit bën pjesë edhe dystrofëshja “Gjethi”.

Gjatë një bisede me Aldo Klimanin (viti 1976), Aco Shopovi do të shprehet thjesht: “Shkrihu me heshtjen është libër që lindi si rezultat i bindjes sime poetike se heshtja mund t’i shqiptojë ca të vërteta më zëshëm sesa vetë fjalët e shprehjet më të zëshme”.

Më shumë të dhëna rreth librit, në maqedonisht.