This post is also available in: Macedonian French Spanish English Serbian Croatian Bosnian Polish Hungarian Italian

Lutja e gjashtë e trupit tim

Je qëndistare e këtij vallëzimi, e këtij ritmi rrënjës.
Nga viset e egra përmes gjakut më grish, nga larg:
“Unë e panjohura, ujvara e heshtur e hënës
Drejt trupit tënd pa mos lëvizur hov marr.

Në ballin tënd të lartë kullosin kaprenj frikacakë,
ti ke duar të fuqishme të rritura thellë nën dhè,
në fytin tënd barëra të blerta hedhin shtat,
fjalët i ke të heshtura por eshtake e të mprehta si teh”

Je qëndistare e këtij vallëzimi, e kësaj kënge rrënjëse
e nuk e di në je nata ime, apo je ditë,
dhe ky plis dheu ku jam shtrirë dot nuk e nxë
madhështorin shpartallimin tim.

Aco ShopovMosqenësia, 1963
Përkthyer nga Saranda Mehmedi, 2021