This post is also available in: Macedonian French Spanish Russian English Serbian Croatian Bosnian Bulgarian Italian
Lutja e nëntë e trupit tim
Ja vendi, ja trupi që nuk përshkohet dot,
i shpërhapur si uri e heshtur.
Ja të gjitha dritat dhe ujërat
e këtij qyteti të murosur.
Mbi çatinë e tij një pëllumb i përjetshëm gugat –
një përallë të çuditshme prej argjendi dhe prej buke…
A e gjete atë fjalë, atë emër vallë
që kërcet në thellësinë e çdo brinje?
A e zbulove atë fshehtësi që trand,
atë epokë ende të pajetuar kund,
a e more vesh sa dhembin dritat
mbi këtë trup që rrjedh pa lug?
Ja vendi, ja trupi që nuk përshkohet dot,
ajo uri që e shpërhapi dhe jetë i dha.
Ja qyteti i murosur
i murosur me ujëra dhe drita.
Aco Shopov, Mosqenësia, 1963
Përkthyer nga Saranda Mehmedi, 2021