This post is also available in: Macedonian French Spanish Russian English Serbian Croatian Bosnian
Lutja e dytë e trupit tim
Ky trup që rri shtrirë si urë mes dy brigjesh,
ky trup që jeton nga agu i dëshirave të tua,
edhe nesër ka për të qenë siç është tash,
veç me dy vraja më shumë nga dy shënjestra të tërbuara,
ky trup që rri shtrirë si urë mes dy brigjesh.
Ky trup që rri shtrirë si urë dhe gjithë durim qëmoti pret
të kalojë ndonjë i hareshëm dhe ta ngjallë prapë…
Të rrjedhë nën këtë trup si lum i qetë
me dhembshuri të jehojë fort përgjatë çdo të lakuari hark,
ky trup që rri shtrirë si urë dhe gjithë durim qëmoti pret.
Ky trup që rri shtrirë si urë që ndonjë valë ta rrëmbejë
dhe brenda saj të gjejë fytyrën e harruar të vetvetes
falë çdo zgjimi, batice dhe zbatice ka për tu bërë
fanar i vërtetë i tërë dëshirave të rreme,
ky trup që rri shtrirë si urë që ndonjë valë ta rrëmbejë.
Aco Shopov, Mosqenësi, 1963
Përkthyer nga Saranda Mehmedi, 2021