This post is also available in: Macedonian French Spanish German Russian English Serbian Croatian Bosnian Bulgarian Italian

Lutje për një fjalë të zakonshme por ende të pagjetur

Trupi im të lutet:
Gjej një fjalë që ngjan me një dru të zakonshëm
Si pëllëmbët e thëngjillta dhe cullake të stërgjyshërve të duket,
Të jetë e çiltër si çdo lutje e parë thënë nën zë
Për një fjalë të tillë trupi im të lutet.

Trupi im të lutet:
Gjej një fjalë prej së cilës
– kur lëshohet me britmë –
gjaku instinktivisht nis të dhembë sa s’thuhet,
gjaku që kërkon shtrat të rrjedhë i lirë.
Për një fjalë të tillë trupi im të lutet.

Gjej një fjalë të tillë të vërtetë
shëmbëllim të çdo të urti rob
të asaj ere, të asaj puhie të lehtë
që në ninëzat tona drenusha zgjon.
Gjej një fjalë të tillë të vërtetë.

Gjej një fjalë të lindjes, të vajit,
gjej të tillë fjalë. Dhe ky tempull
i kyçur në lashtësinë e tij dhe i rritur nga pritja e gjatë
vetë dhe i përulur krahët do të t’i hapë.
Gjej një fjalë të lindjes, të vajit.

Aco ShopovMosqenësi, 1963
Përkthyer nga Saranda Mehmedi, 2021