This post is also available in: Macedonian French Spanish English Serbian
Lutja e tetë e trupit tim ose kush do ta shpikë atë dashuri
Nën këtë shpatë,
Nën këtë shpatë të heshtjes,
Nën këtë qiell të hapur,
e këto plepa të hirtë,
i zgjatur deri në pakthim rri shtrirë ky trup,
me sy shigjeton syrin e majave të larta,
tokën me ballë e shkul.
Nën këtë shpatë,
nën këtë shpatë të heshtjes
kush do ta shpikë atë dashuri të panjohur,
atë fjalë që nuk ekziston në fjalorin
e takimeve të përditshme,
e përshëndetjeve të përditshme,
as në vajtimin e të braktisurve,
as në paqen e humbësve,
as në zërin e të dashuruarve.
I zgjatur deri në pakthim rri shtrirë ky trup,
me sy shigjeton syrin e majave të larta,
tokën me ballë e shkul.
Moj tokë, ti tokë s’je më,
ti je një grusht shpresë,
zezuar prej mërzisë, bleruar prej ëndrrave,
ti je sy i hedhur në univers.
Kush do ta shpikë atë dashuri të panjohur –
në sy të këtij zgjimi
në sy të këtij kotullimi –
kësaj mrekullie kaluar mrekullisë,
kësaj ulërime!
I zgjatur deri në pakthim rri shtrirë ky trup
nën këtë shpatë,
nën këtë shpatë të heshtjes,
tokën me ballë e shkul,
mbi shpatulla mbart hënën.
Mori fund, moj hënë, për jetë të jetëve mori fund!
Në rrjetën tënde deng me ngjyra,
në rrjetën e vuajtjeve,
në rrjetën tënde të gënjeshtrave dhe mashtrimeve,
të prangosjeve dhe llomotitjeve,
e shumë e shumë shpresave të humbura,
nuk ka më vend për askënd,
aq më pak për të dashuruarit.
Dhemb, moj hënë. Le të dhemb.
Dhembin brinjët e tua të thyera.
Përposh teje bota dhe ne jemi cullakë.
Të porsalindur.
Kush do ta shpikë atë dashuri të panjohur –
në sy të këtij zgjimi
në sy të këtij kotullimi –
kësaj mrekullie kaluar mrekullisë,
Kësaj ulërime!
Aco Shopov, Mosqenësia, 1963
Përkthyer nga Saranda Mehmedi, 2021