This post is also available in: Macedonian French Spanish German Russian English

Аco Shopov: Vjersha (Песни), 1944

1944 Песни (2014)

Aco Shopov: Vjersha, 1944. Klikoni për të shkuar të përmbajtja.

“Ky libërth me tridhjetë faqe përmban gjithsej nëntë poezi. Këto poezi kanë mbirë gjatë kohës kur Aco Shopovi ka qenë partizan, pra në vjeshtën e vitit 1943 kur ai në mënyrë aktive ka marrë pjesë në luftime, së pari në çetën e Sharrit, kurse pastaj në rradhët e Brigadës së 3-të Sulmuese Maqedonase. Në atë vit, pra më 1943-shin, Aco Shopovi ka qenë thjesht një djalosh njëzet vjeçar i cili vitin paraprak, pas një lëngimi të gjatë humbet nënën e tij,  kurse një vit më vonë e humbet edhe babain, i cili sipas rrëfimeve të vetë Shopovit asnjëherë nuk ka pasur ndonjë rol të rëndësishëm gjatë fëmijërisë dhe djalërisë së tij”, thotë Sonja Stojmenska – Elzeseri, teksa flet për aspektet letraro-historike të përmbledhjes poetike Vjersha, në kuadër të promovimit të botimit fototipik të përmbledhjes në Shoqatën e shkrimtarëve të Maqedonisë, më 7 tetor 2014.

Bëhet fjalë për tridhjetë faqe poezi të cilat konsiderohen ndër  faqet e para të historisë dhe letërsisë kombëtare bashkëkohore maqedonase. Ato janë dëshmi e një kohe kur, sipas fjalëve të Shopovit, “lufta (…) ishte e vetmja mundësi që t’i jepet kuptim jetës, e vetmja mënyrë që të ruhet rinia, më saktësisht t’i jepet rini vetë rinisë” (Mlad Borec, 1973).

“Ky libër i vogël përmban material të paçmueshëm nëpër shkronjat e alfabetit qirilik, material i cili ka për të hapur horizonte të reja të të shprehurit poetik dhe letrar në gjuhën maqedonase”, shkruan poetesha meksikane Aurora Marija Savedra dyzet vjet pas botimit të përmbledhjes. “Janë poezi që poeti partizan i ka shkruar në mes të tmerreve të luftës, mes rrëkeve të gjakut që kanë rrjedhur nëpër betejat e fuqive antifashiste. Këtë fazë të parë të krijimtarisë së poetit, njëlloj si edhe ato pasardhëse, i karakterizon – gërshetuar sublimisht me qenien e tij –  patosi lirik i luftëtarit të ri i ngjyer me kujtime të hidhura dhe pikëllimin e të humburve.”

Kështu lindi përmbledhja poetike Vjersha, libri i parë i botuar në gjuhën maqedonase në Maqedoninë e lirë.

Në tetor të vitit 1944, Unioni i Rinisë Nacional-Çlirimtare të Maqedonisë i qarkut të Kumanovës i shumëzon poezitë me shaptilograf dhe dërgon kopje në redaksinë maqedonase të revistës “Mlad Borec”, e cila ndodhej në fashtin Gorno Vranovci, afër Velesit, “në një hapsirë, si mutfak, në oborrin e një shtëpie myslimane”, sipas kujtimeve të Blazhe Koneskit. (Sovremenost, nr.4, 1983, faq.68).

Gjatë asaj kohe, partizania serbe Brana Peroviq ka qenë instruktore në Këshillin e Unionit të Rinisë Nacional-Çlirimtare të Maqedonisë, dhe është ajo që i merr dhe i dërgon  poezitë në Beograd, ku më pas revista “Mlad Borec” i boton në një libër. Delegacioni i rinisë antifashiste të Serbisë në Kongresin e Dytë të Unionit të Rinisë Nacional-Çlirimtare të Maqedonisë (URNÇM) i sjell kopjet e botuara të librit në Shkup dhe ua dhuron pjesëmarrësve të kongresit, kongres në të cilin merr pjesë edhe vetë Aco Shopovi në cilësinë e nënkryetarit të Këshillit të URNÇM-së.

Më 7 tetor të vitit 2014 Shoqata e shkrimtarëve të Maqedonisë shënoi 70-vjetorin e botimit të Vjershave me promovimin e botimit fototipik të përmbledhjes nga shtëpia botuese “Sigmapres”, ku çdo të pranishmi iu dhurua nga një kopje në shenjë të përkujtimit të momentit historik të vitit 1944. Nga një kopje iu dhurua gjithashtu edhe publikut të pranishëm ditën e nesërme, më 8 tetor të vitit 2014, në promovimin e Shtëpisë lirike të Aco Shopovit në Fakultetin Filologjik “Blazhe Koneski” në Shkup.

Informacione për ngjarjet e tetorit të vitit 2014